Bashkia Shkodër fiton “Çmimin e Publikut” në Qeverisjen Vendore, Praktika më e mirë 2020 e votuar nga qytetarët, për shërbimin e menaxhimit të mbetjeve urbane. Ky çmim i dedikohet punës së Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Ndjekjes së Investimeve të Infrastrukturës në Bashkinë Shkodër, Administratorëve të Njësive, Inspektorëve të lagjeve të qytetit dhe Monitoruesve të shërbimit në të gjithë territorin, operatorëve të ofrimit të shërbimit, të gjithë bizneseve dhe banorëve të Shkodrës, kontributi i të cilëve i jep vlerë këtij çmimi.
Bashkia e Shkodrës falenderon të gjithë ata qytetarë në Shkodër dhe përtej Shkodrës, që votuan Bashkinë tonë, duke e vlerësuar me Praktikën më të mirë 2020, të votuar nga publiku. Konkursi i Praktikave të Mira 2020 u drejtua nga Ministria e Brendshme dhe Agjensia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, me mbështetjen e Agjensisë Zvicerane për Zhvillim (SDC).
Bashkia Shkodër fiton po ashtu edhe çmimin e Praktikës më të mirë në fushën e Demokracisë Vendore për praktikën “Buxheti 2020 dhe PBA 2020-2022”, Këshillin Bashkiak Shkodër për përmirësimin e informimit dhe konsultimit publik për aspekte të financave publike, rritjen e transparencës dhe përdorimit të mjeteve të teknologjisë së informacionit.
Praktika e konsoliduar tashmë e konsultimit publik, diskutimit teknik ndërveprues ndërmjet administratës vendore dhe këshillit bashkiak, transparenca gjatë procesit të vendimarrjes për buxhetin vjetor dhe atë afatmesëm, është vlerësuar nga Ministria e Brendshme dhe Agjensia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore në Konkursin e Praktikave të mira 2020, i mbështetur nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, shkruan në faqen e saj zyrtare në Facebook: Falenderoj të gjithë ata që punojnë, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Ndjekjes së Investimeve të Infrastrukturës në Bashkinë Shkodër, Administratorët, Inspektorët e lagjeve dhe Monitoruesit e shërbimit në të gjithë territorin, operatorët e ofrimit të shërbimit, të gjithë bizneset dhe banorët e Shkodrës, kontributi i të cilëve i jep vlerë këtij çmimi.
Lidhur me çmimin e marrë nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës, kryetarja Brisela Kadia shkruan në Facebook: Nder dhe kënaqësi që në emër të institucionit që përfaqësoj të tërheq çmimin e PARË në Konkursin e Praktikave të Mira, edicioni 2020, e organizuar nga MB, AMVV me mbështetjen e SDC.
Këshilli Bashkiak Shkodër fitoi çmimin e PARË per përmirësimin dhe konsultimin publik për aspektet e financave publike, rritjen e transparencës dhe përdorimit të mjeteve të teknologjisë së informacionit.
Ky çmim konsolidon produktin e parë, por jo të vetëm, të Këshillit Bashkiak Shkodër për rritjen e standardit të demokracisë vendore që në vitin e tij të parë të punës.
Falenderoj përzemërsisht të gjithë kolegët dhe qytetarët për angazhimin e tyre #BashkimiBënFuqinë