Administratori i KESH sh.a. Benet Beci, ka qenë ditën e sotme në fshatin Obot të NJA Ana e Malit në Bashkinë Shkodër. Duket se ka qenë një vizitë e paparalajmëruar, pa praninë e mediave dhe pa u shoqëruar as nga administratori Arben Ceni. Ai është takuar me kryeplakun Gregor Pemaj, me të cilin është fotografuar në bashkëbisedim në një varkë.
Lidhur me këtë vizitë, vetë Beci shkruan në faqen e tij zyrtare në Facebook: “Së bashku me kryeplakun e Obotit, z. Gregor Pemaj për të vëzhguar nga afër situatën e përmbytjeve. Diskutuam me banorët rreth problemeve të kësaj situate të shkaktuar nga reshjet e muajit Janar.
Garantuam banorëve transparencë të plotë mbi menaxhimin e Hec-eve si dhe njoftimin në kohë për të gjitha masat e marra dhe ato që do të merren për të ulur ndikimin në zonën e nën Shkodrës të këtyre prurjeve historike në lumin Drin.”.