Ish-kryeministri Sali Berisha dhe grupi i Rithemelimit kanë hyrë rreth orës 13:45 të së hënës në selinë e PD-së. Kujtojmë që edhe kryetari i PD, Lulzim Basha ndodhet në ambientet e selisë blu, duke zhvilluar një mbledhje me disa antarë të Kryesisë së tij.
“Komisioni i Përkohshëm që u zgjodh në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ka ardhur të vendoset në selinë e Partisë Demokratike. Ne po ngjitemi sipër“, tha Berisha për mediat.
Lëvizja e Berishës dhe komisionit të Rithemelimit vjen dy ditë pas Kuvendit Kombëtar të PD thirrur nga ish kryeministri, ku u votua dhe miratua shkarkimi nga detyra i kryetarit të PD Lulzim Basha.
“Basha është i shkarkuar nga Kuvendi, por në respekt të anëtarësisë, ato do të shprehen për deputetin Basha. Komisioni ka aspektin e vet politik dhe burokratik, do t’i kombinojnë të dyja, me zyrën e Bashës nuk kemi punë, vijmë këtu për të bërë mbledhje dhe deputeti Basha deri në 18 duhet të reflektojë për vendimin e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e Europës, ku triumfoi vullneti i anëtarëve.
Sot futem si njëri nga anëtarët e Komisionit të Rithemelit të PD, janë të gjithë të barabartë. Firma e turpit që padit në prokurorinë e tij dhe të Ramës, nuk ka akt më të padenjë”, vijoi deklaratën e tij Berisha për mediat pasi ishte futur në ambientet e PD.