Disa ditë më parë, të gjithë ishim dëshmitarë të skenave aspak të zakonta në plazhin e Velipojës, një nga më të preferuarit jo vetëm për shkodranët e shqiptarët por edhe pushuesit e huaj, veçanërisht ata kosovarë. Në vend të startit normal të një sezoni turistik shpresëndjellës pas problemeve të thella ekonomike të krijuara nga pandemia, pronarët por edhe ata pak pushues të pranishëm, u përballën me skenat e prishjeve masive të strukturave nga pesha e IKMT-së.
Pse u zgjodh kjo periudhë, kur fare mirë mund të kryhej ky aksion në shtator, pas përfundimit të sezonit? Mund të ketë disa përgjigje, por një të paktën dhe zyrtare, e jep Agjensia e Europiane e Mjedisit. Si çdo vit, ajo bën analizimin e plazheve në vende të ndryshme të Europës, mes të cilave, edhe në Shqipëri. Në monitorim janë plazhet nga Shqipëria deri në Britaninë e Madhe, plot në 119 pika monitorimi.
Në Shqipëri, plazhi i Velipojës ka marrë vlerësimin “cilësia e ujit e shkëlqyer”. Në fakt, në vendin tonë janë dhe plazhe të tjera që e kanë këtë vlerësim, por e veçanta e Velipojës, siç e shihni edhe nga hartat, e ka këtë cilësi në të gjithë gjatësinë e plazhit, në të gjitha ato pika që Agjensia Europiane e Mjedisit i ka referuar si zona plazhi.
A ka patur ndonjë parapskenë në aksionin e IKMT- së, a është një përpjekje për të larguar turistët nga Velipoja drejt zonave të tjera të vendit apo në Jug më saktë? A mund të jetë edhe ky raport i Agjensisë Europiane të Mjedisit një arsye për atë që ndodhi në Velipojë disa dit më parë? /ShkodraWeb Media/