Me 29 qershor të çdo viti, 14 vende të pellgut të lumit Danub, festojnë së bashku një nga sistemet më të mëdha lumore të Europës, bashkë me banorët e saj dhe natyrën e egër në të cilën mbështeten. Kjo ditë, përveç 13 vendeve të tjera, kremtohet edhe në Qarkun e Shkodrës, më konkretisht në Vermosh të Malësisë së Madhe.
Lugina e Vermoshit, me dy degët e saj si Lëpusha dhe Grebeni, janë pjesë e bazenit të Danubit, si pjesë e shteteve të tjera ku shtrihet bazeni i këtij lumi. Ditën e sotme, është organizuar një aktivitet me pjesëmarrjen e Prefektes së Qarkut Shkodër Majlinda Angoni, kryebashkiakut të M.Madhe Tonin Marinaj, drejtues e përfaqësues të shoqërisë civile, banorë etj.
Aktiviteti është një mundësi e mirë për të promovuar territorin, vlerat e tij të padiskutueshme, duke patur në fokus turizimin. Në Malësi të Madhe, fokusi është dhe mbetet aktualisht tek turizmi malor ndërsa mundësitë janë edhe për atë liqenor, në brigjet e Liqenit të Shkodrës, ku vitet e fundit janë shtuar investimet private.