Projekti Almonit – Financuar nga Bashkimi Europian, përmes Programit IPA Adriatik CBC Itali – Mali i Zi – Shqipëri dhe zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ka hyrë tashmë në fazën e zbatimit konkret.
Molet Turistike në Liqenin e Shkodrës “Almonit” është projekti që së shpejti do të krijojë infrastrukturën e nevojshme për lundrimin turistik në liqen midis Shkodrës – Shirokës – Zogaj dhe Vir Pazarit. Me këtë projekt merr një tjetër dimension zhvillimi i turizmit dhe ekonomia në këto zona dhe krejt territorin e bashkisë Shkodër.
Në këtë takim mes përfaqësuesve të Bashkisë Shkodër, FSHZH, Komunës Tivar dhe aktorëve të tjerë, ishte i pranishëm edhe arkitekti Jesus Hernandez, një prej kontributorëve kryesorë të planifikimit të zhvillimit në zonën e Liqenit dhe hyrjes së qytetit të Shkodrës, i cili paraqiti vizionin e tij për një zhvillim të integruar të të gjithë zonës.
Jesus Hernandez, përfaqësues i studios të arkitekturës që ka punuar për këtë projekt thotë se parashikohet ndërtimi i 3 moleve dhe se qëllimi kryesor është rritja e kapaciteteve dhe forcimi i lidhjes së Shqipërisë me Malin e Zi përmes transportit ujor. Arkitekti Hernandez thotë se ende nuk ka një datë të caktuar për implementimin e këtij projekti në liqenin e Shkodrës.
Molet që do ndërtohen do të jenë një vlerë të shtuar në krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, në zhvillimin e paketave të integruara turistike midis dy vendeve. Bashkia Shkodër do të jetë e angazhuar që këto mole të jenë jo vetëm pika për ankorimin e varkave të lehta dhe nxitjes së lundrueshmërisë në Liqen por edhe si qëndra rekracionale në të cilat do të jetë e mundur të zhvillohen aktivitete sportive, kulturore e mjedisore që nxisin vizitueshmërinë dhe turizmin.