Nga Kastriot Dervishi
Sipas kujtimeve të At Zef Pllumit dhe mjaft burimeve të tjera, partizanët kanë hyrë në Shkodër në fund të nëntorit 1944 pa luftë. Pra nuk çlirua gjë. Veprimet e para i shpjegon At Zefi. Ato ishin veprime kriminale, keqsjellje me popullsinë civile, vrasje, burgossje, vjedhje. Fotografia bashkëlidhur, tregon kontrollet partizane në dhjetor 1944 në shtëpitë e qytetarëve shkodranë. Kontrollonin për flori e çdo gjë që u tekej.
Pjesë nga kujtimet e At Zefit
Ndër kazerma, nuk kishin çka me ba, mbasi nuk kishin as rroba fjetje, as ushqime, prandaj i shpërndanë nëpër familje: dikund 3, dikund 6-7. Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazitë. Por nuk ishin rob Zotit: këqyrshin me tinzi nëpër shpija nëse gjejshin ndonji gjerman ose “reaksionar” të mshefun. E para punë që banë qe vumja në funksion e burgjeve, të cilat u mbushën plot e përmajë me njerëz të pafajshëm. Nuk kishin bukë me u dhanë, prandaj duhej t’ua çojshin familjet, përndryshe vdisshin. Ushqimet që u dërgojshin familjet ishin ma shumë për partizanët e unshëm, se për ata të mjerët e torturuem. Menjëherë filluen të shpërndahen fjalë: kanë vra X-n o Y-in; ose për të tjerë që ishin zhdukë pa shenj, pa nishan. Kush ishte kryetar i kësaj qeverie? Filloi me u përmendë emni i Enver Hoxhës, deri atëherë krejt i panjohtun për popullin e Shqipnisë së Veriut.