Vogëlushja Ea Zoga ka fituar spektaklin “Gjeniu i Vogël” në Vizion Plus TV. Ditën e sotme, së bashku me babain e saj, Ea është pritur nga kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia.
Kryebashkiaku e ka pritur me një tufë me lule, teksa Ea ka treguar me krenari të natyrshme trofetë e fituara në “Gjeniu i Vogël”. Në një publikim në faqen e tij zyrtare në Facebook, kryebashkiaku Spahia shkruan:
“Kënaqësi e veçantë të uroj artisten e vogël shkodrane Ea Zoga për fitoren e merituar në “Gjeniu i Vogël”, edicioni i 8- të. Ea është krenari jo vetëm për familjen por edhe Shkodrën e shkodranët.
Zëri i saj i mrekullueshëm, interpretimi me nivel shumë të lartë artistik, janë tregues i qartë i një talenti që do të lërë gjurmë në artin shqiptar. Ea është talenti i radhës i një qyteti si Shkodra, i cili vazhdon t’i dhurojë vlera të padiskutueshme Shqipërisë!
Rrugëtim të mbarë e të suksesshëm Ea! Do të kesh gjithmonë mbështetjen time dhe të institucionit që drejtoj!”.