“Mirrors should think longer before they reflect” në shqip “Pasqyrat duhet të mendojnë më gjatë para se të reflektojnë”, ekspozitë e veçantë ajo e hapur pasditen e sotme në mjediset e Galerisë së Arteve në Shkodër nga Ardian Isufi. E kuruar me kujdes nga Vladimir Mrtezaj- Grosha, ekspozita është një mundësi për reflektim dhe meditim.
Njeriu, shoqeria, hapësira, koha, botëkuptimi, janë të gjitha “site specific”(vende të caktuara) për autorin Isufi. Por çështja qëndron në atë që këto hapësira ku futet vepra e autorit janë dhe hapësirat tona. Njeriu i afërt, shtëpia, rruga kisha, xhamia, historia, monumentet janë dialogu përditshëm i unit tonë me atë çka është jashtë dhe rreth nesh.
Në finalen e të përditshmes kur mbyllen qepenat dhe kyçen dyert e dritaret, prej sintezës së këtyre dialogjeve në fund të orës pamja qaset të shfaqet disi e paqartë, e ngatërruar, pa hierarki. Aty ku nuk merret vesh ku fillon shoqëria dhe ku rri individi?! Aty ku nuk merret vesh ku ndahet e shkuara dhe dhe ku fillon e ardhmja.
Aty ndërhyn vepra e autorit e cila saktëson distancën mes asaj çka është lokale (ne) dhe globale (përtej nesh) duke qartësuar pamjen e sintesëz , pozitën e njeriut, rolin e shoqërisë dhe misionin e artistit.
Ekspozita mirëpret vizitorët deri me 12 qershor 2021.