Ishte thjeshtë një ide e kameramanit dhe fotografit Mark Gjeka, ndërsa sot u kthye në një realitet. “Festa e Gështenjës” ka shënuar lindjen e një eventi të ri në Njësinë Administrative të Shllakut. Pse pikërisht “Festa e Gështenjës”? Sepse është fruti tradicional i kësaj zone, me qindra hektarë, ndoshta më shumë se kaq sipërfaqe pyjore.
Në këtë event që u organizua për herë të parë në Shna Prende, Ukbibaj të Shllakut, morën pjesë mjaft persona, të lindur ose me origjinë të afërt e të largët nga kjo zonë por sigurisht, edhe të ftuar të tjerë.
“Sot organizuam për herë të parë festë e gështenjës , e cila besoj se do të kthehet në traditë për Njësinë Administrative të Shllakut.
Festa që organizuam sot, do të ishte shumë e vështirë të organizohej pa mbështetjen e pakursyer të bijve dhe bijave të Shllakut, të atyre që jetojnë në këtë zonë të mrekullueshme por edhe të atyre, që nuk i harrojnë asnjëherë rrënjët e të parëve të tyre.
Shpresojmë që sot të jetë vetëm fillimi i një tradite të gjatë të “Festës së Geshtenjës”.
Ju faleminderit te gjitheve me respekt nga Mark Gjeka”, shkruan organizatori i eventit “Festa e Gështenjës”, i cili ia doli me sukses organizimit të edicionit të parë të këtij eventi.
Tani vijimësia është në dorën e të gjithëve, duke nisur nga bijtë e bijat e Shllakut, qeverisja vendore por edhe amatorët e piknikëve në natyrë, ushqimit dhe pijeve bio të zonës e sigurisht, gështenjave! Udhë të mbarë “Festës së Gështenjës”, këtij eventi të ri që synon veç të tjerave, promovimin e vlerave të Shllakut! /ShkodraWeb Media/