Që në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, më 10 prill 2024, muslimanët shkodranë nisën të mbushin sheshin e vakëfit të Fushë Çelës, bri xhamisë “Ebu Bekër”, ku Myftinia Shkodër e ka bërë traditë të kryejë ceremoninë e festës së Fitër Bajramit.
Sipas programit të paralajmëruar, besimtarët falën së bashku namazin e sabahut, nën drejtimin e H. Lavdrim Hamja, që u pasua nga një program i larmishëm me këshilla fetare, urime dhe ligjërata nga imamët e nderuar: H. Samel Haxhija, H. Anis Agovi, teolog Arben Halluni dhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari.
Imamët e nderuar dhanë mesazhe të qarta në lidhje me ruajtjen e vlerave të besimit, dijes, përkushtimit dhe lidhjes me fenë në jetën e përditshme. Ata këshilluan vazhdimësinë e shpirtit të Ramazanit edhe pas tij, duke theksuar se feja islame ka ardhur për ta ruajtur rrugëtimin e njeriut në jetë dhe për ta mbrojtur atë nga devijimet e ndryshme, me të cilat përballet.
Në mesazhin e tij, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ftoi besimtarët që të ndjehen krenar për këtë besim të pastër islam, që para shumë shekujsh erdhi si dritë dhe bekim për popullin shqiptar.
Nën drejtimin e Myftiut u krye edhe rituali i faljes së namazit të Fitër Bajramit, H. Ensar Ismajlaj mbajti hytben e FitërBajramit, ku u përqendrua tek madhështia e Islamit në udhëzimin e njerëzimit drejt asaj që është më e mira në jetë. Pas përfundimit të hytbes, Myftiu dhe imamët e pranishëm pritën besimtarët e shumtë, që uruan Fitër Bajramin.