Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur në gadishmëri Njësinë e helikopterëve në këtë situatë të vështirë të bllokimit nga dëbora të zonave të thella malore.
Në kushte ekstreme të motit, pas dy tentativash për t’u ulur në fshatrat Nënmavriq dhe Lekaj, mjekët dhe stafi i Njësisë së Helikopterëve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ia dolën të shpëtojnë dy gra me probleme akute në fshatrat e Shalës së Shkodrës, të cilët ishin bllokuar nga dëbora.
Një grua 42-vjeçare me probleme kardiake dhe një rast apandesiti akut sapo kanë mbërritur në këto momente në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, pas ndërhyrjes së vështirë por të suksesshme të ekipit të Njësisë së Helikopterëve në zonat e bllokuara nga dëbora.
Pacientët janë aktualisht nën kujdesin e mjekëve të QSUT-së. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pergëzoi ekipin e mjekeve dhe stafin e Njësisë se Helikopterëve për përmbushjen e misionit, që shpëtoi dy gra nga fshatrat e thella të Shkodrës.
Ndërkohë, akti i Forcave ajrore është vlerësuar publikisht edhe nga Bashkia e Shkodrës, pjesë e të cilës është NJA Shalë. Në një postim në profilin zyrtar në Facebook, Bashkia e Shkodrës shkruan: “Bashkia e Shkodrës, në emër te komunitetit, shpreh vlerësimin e lartë për efektivët e Forcave Ajrore, pjesë e FA që sot bënë të mundur evakuimin nga Njësia Administrative Shalë të dy të sëmurëve rëndë dhe sjelljen e tyre ne spital për të qënë në kujdesin e mjekëve.
Pas sinjalizimit nga administratori i NJA Shalë, kryetarja e Bashkisë zj. Voltana Ademi kërkoi ndihmë dhe, pavarësisht vështirësive të kohës dhe dëborës, efektivët e Forcave Ajrore ndërhynë menjëherë duke bërë të mundur që të sëmurëve tu jepet ndihma dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën në Tiranë.”