Thirrja apo ideja ishte e kameramanit të njohur Mark Gjeka. Në udhëtimet e takimet e shpeshta në zona të thella malore, ai ndeshi në rastin e një familje, e cila kishte nevojë për ndihmë. Idenë e tij për ta ndihmuar këtë familje, ai e ndau me drejtues e futbollistë të Akademisë Vllaznia. Prindërit e futbollistëve të vegjël, iu bashkuan thirrjes së Markut dhe të gjithë bashkë kontribuan për të kthyer buzëqeshjen tek të rritur por sidomos tek fëmijët e kësaj familje.
Sot, të gjithë bashkë, pavarësisht motit të ftohtë dhe borës, u nisën drejt kësaj familje. Një ditë e veçantë dhe kuptimplotë, 102 vjetori i krijimit të Shoqnisë Vllaznia. Nuk ka mënyrë më të bukur për të nderuar nismën e shkodranëve të mençur e të shquar të 102 viteve më parë, që na lanë trashëgim një legjendë me emrin Vllazni.
Një emër që duket se po rritet, merr vlera të reja, edhe përmes nismave si kjo e sotmja e futbollistëve të rinj dhe trajnerit të tyre Edmond Doçi. Futbollistet e ekipit Vllaznia U15 grumbulluan disa ndihma, kryesisht ushqimore dhe sot, ishin në zonën malore të Shllakut për t’ia dhuruar familjes në nevojë.
Jo vetëm kaq. Ata kishin menduar edhe për fëmijët e vegjël, duke i dhuruar një top të veçantë. I veçantë sepse mbi të, janë firmat e futbollistëve të rinj e trajnerit të tyre. Ndoshta një ditë, ky vogëlush do të jetë pjesë e Akademisë Vllaznia ose do të tregojë me kranari këtë top pas disa viteve, kur mbase ndonjëri prej 15 vjeçarëve të sot, mund të jetë yll i Vllaznisë së madhe apo ekipeve kombëtare.
Shembulli i futbollistëve të këtij ekipi, duhet vlerësuar, promovuar dhe ndjekur nga të tjerë. Sepse të dhurosh apo të bësh bamirësi, jo vetëm nuk të varfëron por të pasuron shpirtërisht. E Mark Gjeka, kamerani që ishte nismëtar i kësaj vepre bamirësie e shpirtmadhësie, i uron publikisht:
“Falenderoj nga zemra të rinjtë e Akademisë Vllaznia U-15 si dhe prindërit e tyre që ju bashkuan thirrjes time për të ndihumar familjet në nevojë në zonën e Shllakut. Le të jetë një thirrje sensibilizuese për të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë sadopak në lehtësimin e përballimit të vështirësive ekonomike sidomos në periudhën e dimrit që vështirësitë ekonomike janë akoma më të mëdha për shkak të kushteve atmosferike. Me respekt dhe falenderime nga Mark Gjeka”, shkruan ai. /ShkodraWebMedia/