Mbrëmjen e datës 6 nëntor 2024, është grabitur një banesë në fshatin Vukpalaj të Bajzës në Malësinë e Madhe. Konkretisht, është grabitur banesa e shtetasit Fran Kalaj, 70 vjeç. Policia është mjaftuar me një njoftim të thjeshtë, deri diku të ftohtë.
“Mbrëmjen e djeshme, ka kallëzuar shtetasi F. K., 70 vjeç, se i kanë vjedhur në banesën e tij, në fshatin Vukpalaj, gjatë kohës kur nuk ka qenë askush në banesë. Punohet për verifikimin e kallëzimit, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorit/ëve të rastit.”, njoftonte në komunikatën e saj policia e Shkodrës.
ShkodraWeb ka arritur të sigurojë informacion por edhe foto nga banesa e grabitur dhunshëm. Siç mund ta konstatoni edhe nga fotot, shtëpia, mobiljet dhe orenditë janë shkatërruar plotësisht. Por jo vetëm kaq. Dyshohet se është grabitur pasuri e luajtshme por edhe rdhe vlera monetare të konsiderueshme.
Fatmirësisht, në banesë nuk ndodhej njeri sepse në të kundërt mund të kishte ndodhur një tragjedi nga grabitësit. Para se të kryhej grabitja, nga banesa ka dalë vajza e 70- vjeçarit me djalin e saj të mitur që kishte shkuar ta vëzhgonte, teksa prindërit e saj ishin në llixha në Peshkopi. Nëse ka vullnet, dëshirë dhe profesionalizëm, grabitësit mund të identifikohen dhe të kapen lehtësisht.