Prej shumë vitesh në Shkodër, si rrallëkund tjetër në Shqipëri, sporti i tenisit nga gjetur “shtëpinë” e tij. Në fillim të viteve ’90, kur të gjithë turreshin drejt sporteve të tjera, një grup të rinjsh ushtronin këtë sport në Shkodër. Mungonin fushat e duhura, por pasioni i madh për këtë sport, transformonte fushat e lojërave me dorë si basketbolli dhe volejbolli, në fusha tenisi.
Me kalimin e viteve, pasioni për këtë sport rritej siç edhe numri i atyre që kishin dëshirë ta ushtronin. Tenisi, në kuptimin e plotë të fjalës, fitoi “të drejtën e qytetarisë” në Shkodër dhe tashmë ishte e nevojshme të hidhej një hap përpara. Ndërkohë, të rinjtë e fillim viteve ’90, tashmë kishin mundësi që pasionit të tyre ti jepnin formën e duhur. Një pjesë e tyre, bisnesmenë të njohur në fusha të ndryshme, menduan të investojnë në një kompleks të mirëfilltë tenisi.
Kështu mori jetë ideja e një kompleksi të mirëfilltë sportiv për tenisin. E mbromë, Adriatic Tennis Park (ose ATP siç emërtohen turnetë ndërkombëtarë të tenisit), nisi jetën zyrtarisht. I ngritur diku në kufi në mes Bashkisë Shkodër dhe bashkisë Malësi e Madhe, ideja gjeti menjëherë mbështetje. Bashkia e Shkodrës i krijoi të gjitha lehtësitë e mundshme këtij investimi të rëndërsishëm privat në sport.
Ceremonia e zhvilluar mbrëmjen e të shtunës, pa pjesëmarrjen e shumë autoriteteve e personaliteteve shtetërore e të sportit. Fjalë të mira dhe vlerësime për ideatorët dhe investitorët dhe urime që ky kompleks të mirëpresë sa më shumë tenisdashës, pse jo edhe të jetë bërthama e një ekipi sportiv të Vllaznisë në këtë sport, i cili përgjithësisht është indivudual dhe në Shqipëri mungojnë turnetë e konsoliduara.
Kompleksi Adriatic Tennis Park ofron të gjitha kushtet e duhura për ushtrimin e këtij sporti. Çdo gjë është ideaur e menduar sipas parametrave dhe mbetet vetëm që ai të nis të shfrytëzohet nga të rinjtë por jo vetëm. Sporti i tenisit konsiderohet si sporti që vë në lëvizje të gjithë muskujt e trupit duke i shërbyer më së miri organizimit të njeriut.
ShkodraWeb shpreh vlerësimet maksimale për investitorët, ideatorët, projektuesit e të gjithë ata që mundësuan e lehtësuan ngritjen e Adriatic Tennis Park. Padiskutim është një vlerë më shumë për Shkodrën, shkodranët e mbarë vendin, si i pari i këtij lloji në Shqipëri. /ShkodraWeb/