Kioska që promovon brand- in turistik të Shkodrës, është hequr këtë të shtunë edhe nga trotuari përballë Hotel “Rozafa”. Në orët e para të mëngjesit, mjete të Bashkisë Shkodër, të monitoruar nga Policia Bashkiake, kanë bërë zhvendosjen e kioskës, së vendosur fillimisht rreth 5 vjet më parë në pedonalen “Kolë Idromeno” dhe që rreth 2 vite e gjysëm më parë, në korrik 2020, u spostua në trotuarin pranë xhamisë Ebu- Bekr.
Në fakt që në momentin e parë që u vendos, ngjalli polemika të shumta jo vetëm në opinionin publik e rrjete sociale por edhe në Këshillin Bashkiak të Shkodrës. Madje, në mbledhjen e muajit shtator të vitit 2020, ka patur edhe një vendim të Këshillit Bashkiak për heqjen e zyrës së promovimit të brand- it turistik të Shkodrës. Sigurisht, nuk kanë qenë të pakta as ata që e vlerësuan si mundësi për të promovuar emrin dhe produkte- suveniret e Shkodrës.
Qendrimi një kohë të gjatë nën agjentët atmosferikë, i hoqi edhe shkëlqimin fillestar të kioskës në vendqendrimin përballë Hotel “Rozafa”, teksa nuk ofroi asnjë ditë sherbimet për të cilat ishte menduar fillimisht. Zyra e promovimit të brand- it turistik të Shkodrës, u kthye në një kioskë të pabukur që shëmtonte ambjentin përreth.
Nuk është e qartë se ku do të vendoset apo zhvendoset “kioska e polemikave”, e cila pas një projekti të financuar nga BE, duhet të promovonte brand- in turistik të Shkodrës dhe që pas qendrimit në pedonalen “Kolë Idromeno”, do të duhej të lëvizte në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Shkodër.
Duke shpresuar që vendndodhja e re e mundshme të mos ngjallë sërish polemika, ata që ishin “partizanë” për heqjen e saj, “korrën një fitore”. Ata që u mësuan me pamjen e saj në xhirot e verës apo të dimrit, duhet të presin vendndodhjen e re, nëse do ta shohin sërish, Të gjithë të kënaqur, apo jo?!