Portugezi i dyshuar si autor kryesor i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj më 19 prill në Shëngjin, është ekstraduar ditën e sotme (31 dhjetor) në Shqipëri. Pasi gjithçka u mbyll mes Prokurorisë së Lezhës dhe autoriteteve të Marokut, Ruben Saraiva ka mbërritur në aeroportin e Rinasit.
Ruben Saraiva u arrestua më 8 maj të këtij viti, ndërsa 28-vjeçari u filmua nga kamerat e sigurisë duke qëlluar me armë Ardian Nikulajn në lokalin e tij në Shëngjin. Më pas u largua me motor.
Saraiva dyshohet se u pagua për të vrarë nga Edmond Haxhia i cili jeton në Angli, si hakmarrje për hasmërinë mes familjeve Nikulaj e Lestakaj, ku Haxhia, është nip.
Të arrestuar për vrasjen e mirëorganizuar të Ardian Nikulajt në hotelin e tij, janë edhe 4 britanikë, të cilët arritën si turistë në Lezhë, dhe vëzhguan biznesmenin nga afër duke informuar autorin për lëvizjet e tij. Edhe për ta prokuroria e Lezhës ka kërkuar ekstradimin në Shqipëri.