Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pas mesnatës në Tiranë, ku një 28 vjeçar, Klajdi Prendi, është vrarë me armë zjarri me silenciator. Ai është dërguar i plagosur në spital por ndërroi jetë në duart e mjekëve për shkak të plagës. Krimi raportohet se ka ndodhur në zonën e Porcelanit, ndërsa në Farkë është gjetur një makinë e djegur. Rreth 1 orë pas ngjarjes, një automjet me targa të huaja u gjet i djegur në zonën e Farkës. Dyshohet se makina i përket autorëve të atentatit ndaj 28-vjeçarit.
Bëhet me dije se viktima është djali i ish- gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme, Fran Prendi. Ai dha dorëheqjen në vjeshtën e vitit 2020, ndërsa pritej ti nënshtrohej procesit të vetting- ut. Ai deklaroi në atë kohë se do të punonte në sektorin privat.
Ky është atentati i dytë që trondit Tiranën në 4 ditët e fundit. Në 14 nëntor u ekzekutua me një plumb në kokë biznesmeni Eduart Reçi, në sheshpushimin e pallatit pronë të tij. 52-vjeçari u qëllua nga distanca me pushkë me dylbi. Ngjarje kjo ende mister dhe po ashtu grupi hetimor nuk ka një pistë konkrete për motivet.
Tiranë/Informancion paraprak
Më datë 19.11.2024, rreth orës 00:36, në rrugën “Xhanfize Keko” , dyshohet se është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. P., rreth 30 vjeç, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë.
Rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”.
Një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.