Emanuel Rroku me origjinë nga Shkodra është identiteti i viktimës që mbeti i vrarë parmbrëmë në Milano.
Në një sherr që ka ndodhur gjatë një feste pranë një lokali, një 34-vjeçar shqiptar ka qëlluar me armë zjarri ndaj bashkëkombësve. Ka ndërruar jetë një djalë 23-vjeçar i identifikuar si Emanuel Rroku. Një tjetër bashkatdhetar 30-vjeçar ka mbetur i plagosur. Vrasësi u arrestua menjëherë nga karabinierët dhe tashmë ndodhet në gjendje kritike për jetën pas një rrahjeje.
I riu shqiptar humbi jetën në spital. Autori i dyshuar i ngjarjes është një 34-vjeçar, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë, pasi u dhunua nga miqtë e viktimës. Një 30-vjeçar tjetër, mbeti i plagosur në këmbë nga të shtënat me armë.
Përplasja e përgjakshme ndodhi rreth orës 23:30 në qendër të komunës së vogël që ndodhet në provincën e Milanos. 3 shqiptarët e përfshirë në të shtënat me armë ishin pjesë e një grupi të përbërë nga dhjetëra bashkëkombës. Nën efektin e alkoolit dhe për shkaqe banale, sherri shpërtheu në të shtëna me armë në rrugë.