Në listën e 31 personave më të kërkuar për Shkodrën, bërë publike nga Policia e Shtetit, rezulton edhe një ish- komandant i Postës Kufitare të Velipojës deri në vitin 1990. Sot ai është rreth 55 vjeç dhe akoma i lirë, ndërsa duhet të japë llogari drejtësisë shqiptare. Bëhet fjalë për Besnik Ali Zykaj, i cili në vitin 1990 ishte rreth 27 vjeç.
Një nga të paktët persona në Shqipëri të dënuar për krime kundër njerëzimit, vijon të mbetet ende person në kërkim. Besnik Ali Zukaj, ishkomandant i Postës Kufitare të Velipojës deri në vitin 1990, u dënua me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për vrasjen e Vat Marash Beqit më 19 maj 1990 dhe për plagosjen e vëllait të tij.
Dy vëllezërit tentuan që të largoheshin me not nga bregu i Velipojës në drejtim të Malit të Zi, kur u qëlluan me automatik nga Zykaj, edhe pse në fakt ushtarët i kishin ndaluar dhe po i kthenin drejt bregut. E gjitha kjo ndodhi vetëm një javë pasi Presidiumi i Kuvendit Popullor i asaj kohe kishte ndryshuar legjislacionin e Kodit Penal, duke mos e konsideruar më “arratisjen” si “tradhti ndaj atdheut”, por vetëm “kalim i paligjshëm i kufirit”.
Gjashtë vite pas vdekjes, Vat Beqi do të shpallej “Martir i Demokracisë”, ndërsa Gjykata e Shkodrës do ta dënonte Zykajn me “Burgim të përjetshëm” për “Krime ndaj njerëzimit”, duke u bërë personi i parë që dënohet për një vepër të tillë.
Pak pas ngjarjes, ishkomandanti u shpërngul në një fshat të Vlorës si dhe ndryshoi emrin në Bino Binaj, kurse disa muaj më pas u largua nga Shqipëria. Rreth 16 vite pas dënimit të tij në mungesë (2012), u raportua se Zykaj ishte arrestuar në Firence të Italisë dhe se do të nisnin procedurat për ekstradimin e tij. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi edhe sot ai rezulton person i shpallur në kërkim.
Fotoja më poshtë, është ajo zyrtare me të cilën Policia e Shtetit e ka shpallur dikur në kërkim. Ndërsa sot, është e kuptueshme që pamja e tij ka ndryshuar, madje mund të ketë ndryshuar totalisht gjeneralitetet. Nuk është çudi që sot të ketë në xhep edhe ndonjë pasaportë të ndonjë vendi të BE-së. Por pavarësisht këtyre, kërkimi për Besnik Ali Zykaj nuk shuhet asnjëherë sepse mbi të rëndon akuza e rënë e krimeve kundë njerëzimit.