Protesta e sotme në Shkodër, u zhvillua e heshtur. Pati vetëm një tubim në sheshin kryesor të qytetit “Luigj Gurakuqi” dhe asnjë lëvizje në rrugë si një javë më parë. Të rinjtë që u morën me mbarëvajtjen e protestës, kanë evidentuar disa elementë që iu bashkuan asaj, por mesa duket me qëllime të tjera.
Këtë fakt e ka pranuar publikisht edhe faqja “Monella Vagabonda” në Facebook, e cila ka bërë thirrje për organizimin e protestës. Menjëherë pas protestës, është shpërndarë një njoftim në këtë faqe, i ilustruar edhe me foto të atyre, që konsiderohen “bazhibozukë të paguar nga politika”.
PUBLIKIMI I MONELLA VAGABONDA
Keta bashibozuket se bashku me ata femijet qe jane shoqeruar ne polici, jane nje pjese e grupit te zjarrit te paguar nga politika per te devijuar qellimin e protestes se sotme.
Mirekuptojme çdo qytetar qe preferoi te mos dilte ne shesh per te mos u perdorur nga politika.
Ne e theksojme qe distancohemi kategorikisht nga keta banda vandale te nxitura nga forumet partiake.
Rrofte Shkodra!
NJOFTIMI I POLICISË
Sot në orën 11:00, në qendër të qytetit të Shkodrës është zhviluar një tubim i paligjshëm, ku pjesëmarrësit filluan lëvizjen nga sheshi Luigj Gurakuqi drejt pedonales së qytetit, para Prefekturës.
Shërbimet e Policisë, gjatë monitorimit të tubimit konstatuan dy të mitur 13 e 15 vjeç, të cilët kishin me vete një shishe benzinë që dyshohet se do ta përdorinin për djegie gjatë tubimit.
Të dy të mitur janë shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë Shkodër, ku është thirrur psikologu i DVP Shkodër dhe prindërit e tyre për veprime të mëtejshme.