“Java e Europës” ka sjellë në Shkodër 7 ambasadorë të vendeve të BE-së, pa përfshirë ambasadoren e Komisionit Europian në Tiranë Romana Vlahutin. Pasi kanë marrë pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të “Ditës së luleve” të organizuara nga Bashkia Shkodër, sot ata i janë bashkëngjitur një tjetër aktiviteti mjaft domethënës, siç ishte ai i pedalimit me biçikleta nga Ura e Bunës deri në Shirokë. Kësaj nisme iu bashkuan edhe disa ambasadorë të vendeve të BE.
Në Shirokë i ka pritur një atmosferë festive me muzikë dhe valle, ndërsa nuk ka munguar as humori nga Zyliha Miloti, e cila ishte edhe moderatore e një aktiviteti të organizuar në qendër të pikës turistike. Takimi është përshendetur nga kryebashkiakja Ademi dhe ambasadorja Vlahutin, teksa të pranishmit kanë mundur të vizitojnë edhe një ekspozitë në freskinë e liqenit. Për të pranishmit edhe një koktej freskues, për të marrë rrugën e kthimit për në Shkodër.
Në sheshin para Bashkisë së Shkodrës, aktivitetet kanë vijuar me një bashkëbisedim të ambasadorëve me studentë të universitetit “Luigj Gurakuqi”, ku jo vetëm nuk kanë munguar pyetjet, por as temat e nxehta si reforma në drejtësi, emigrimi i shqiptarëve drejt BE etj.