Në shfaqje Dino e “kryqëzon” valixhen (Rucksack), që personifikon refugjatin, të ikurin, të ardhurin, të ndryshmin nga turma! Trondit ky lloj kryqëzimi, pasi turma tenton ta zhdukë atë valixhe, pra idenë e njeriut që vjen prej diku, duke mos e ditur shkakun e ikjes prej vendlindjes së tij! I ulur aty pranë aktorëve në skenë, u ndjeva pjesë e turmës që po kryqëzonin valixhen në emër të mëkateve të tyre, ndoshta edhe “në emër të mëkateve tona që nuk i njohim”, siç thotë Ahmed Nuridini tek “Dervishi dhe vdekja”.
Në këtë shfaqje, nuk të bëhet pyetja: “kush je?”. Thjeshtë, aktorët të mirëpresin dhe të ofrojnë vendin për t’u ulur, aty pranë tyre! Sapo të ulesh e vëren se aktorët kanë kaluar nëpër një proces të vështirë gërmimi brenda vetes dhe kanë arritur katarsis-in, kurse tanimë, në shfaqje, janë të qetë dhe të lumtur. Fundja, çdo përjetim i katarsis-it (shërimi) ofron një gjendje të tillë shpirtërore, pasi ndjen se ke kaluar një proces detoksifikimi. Tek secili prej tyre ndjen sasinë e helmeve që ka nxjerrë prej vetes, e tani, në një gjendje disi si të ekzaltuar, mirëpresin publikun duke u treguar vendin ku të ulen. Në këtë mirësjellje kishte diçka nga ato “djallëzitë fëmijërore”, kur fëmijët të tregojnë lodrën e tyre të preferuar për të cilën nuk janë të sigurt nëse do e pëlqesh! Ata duken të qetë dhe vështrojnë shikuesit teksa po ulen, ngjashëm siç bisha e vështron prenë e vet! Dhe… si shikues, pa e kuptuar, bëhesh pjesë e shfaqjes! Bëhesh pjesë e shfaqjes pasi je në kurth dhe nuk mund të ikësh! Fundja, unë ashtu u ndjeva! Kurthi është se ti bëhesh pjesë e një shfaqjeje dokumentare, ku aktorët bëjnë pak gjëra, ndërsa të shumtën duhet ta bësh ti, duke u bërë palë me aktorët! Aktorët bëjnë pak, pasi gjatë provave kanë bërë shumë, janë detoksinuar (shëruar) duke gërmuar brenda vetes! Dhe tani ti, si shikues, e ke radhën të fillosh seancën tënde, pasi qendra e çdo gjëje që ndodh në skenë je pikërisht ti! Aktorët me lojën e tyre (Lessis more) të detyrojnë të shikosh brenda vetes, e ti, pa e hetuar,kthehesh në fëmijëri, në moshën e re të rinisë dhe gjen përplot situata ku ke qenë si në anën e turmës, ashtu edhe në anën e të ardhurit. Shfaqja të rrëmben duke shkaktuar një furtunë të tmerrshme pyetjesh që jehojnë brenda teje e që kërkojnë përgjigje! E përgjigjet duhet t’i japësh ti! Nuk ke ku të shkosh, nuk ke ku të ikësh, përveç se të ballafaqohesh me faktin që edhe ti duhet të gërmosh brenda vetes! Dhe kështu, ti duke ndërruar anë, herë me turmën e herë me të ardhurin, fillon të llogarisësh ditët e kota në jetën tënde, bile edhe i numëron me një keqardhje të skëterrshme!
Dhe duke qenë palë me turmën sheh se asnjë pyetje e tillë nuk na intereson, pasi jetojmë nën egon e diktaturës personale, ku çdo gjë shohim nga këndvështrimi personal. Pra, një i ardhur na detyron ta shkundim kotësinë e ditëve tona, duke na motivuar të mbrojmë atë kotësi vetëm pse është e jona! Pasi i ardhuri, i ndryshmi, ka ardhur këtu, e kjo do të thotë se ai mund të na zëvendësoj neve në punë, në rrugë, në kafene si dhe në shtratin e asaj që ne e quajmë“të dashur”, pa mos e pyetur atë të dashur, si ndjehet në rolin (kallëpin) e të dashurës qe ia kemi imponuar. Ajo “e dashur” në kallëpin e imponuar duhet vetëm të sjellë birra të ftohta për të dashurin e saj si dhe të jetë aty kur i dashuri të ketë nevojë për zbrazje fiziologjike, për ta dëshmuar “burrërinë” e vet!
Diktatura e egos si pararojë e frustrimit personal bëhet motivim për të mbajtur (mbrojtur) racën të pastër! Edhe pse e gjithë kjo çon në ngrirje (Frozen) të qenies, në mpirje të shqisave ku njerëzit vegjetojnë si bimë!
Jugorin duhet patjetër ta zhdukim, sepse na frikëson ideja se ai – i huaji, në vendin tonë, mund të jetë një zgjidhje e mirë, siç është te Kavafi:”ndoshta barbarët ishin një lloj zgjidhje”!
Kapakët e shisheve që hidhen në skenë janë numërimi i ditëve tona të kota, ku ne vegjetojmë kot së koti! Por edhe ditët e kota janë tonat dhe nuk i japim! Ne edhe kotësinë tonë nuk e japim!Dhe nuk i lejomë askujt të na tregojë se si të jetojmë ndryshe nga kotësia jonë, në veçanti nëse ai është i gjallë, mendon, ndjen dhe dëshiron të bëj diçka! Kjo “diçka” është e rrezikshme, pasi tejkalon kufijtë e kotësisë sonë ku ne vegjetojmë në pellgun e ujit të amullt të ditëve tona të kota! I ardhuri përbën rrezik, pasi ai mund të mos pajtohet me mënyrën tonë të jetesës. I ardhuri mund të mos pajtohet me ne, atij mund të mos i pëlqej pellgu ynë, ai mund të kërkoj ujë që rrjedh! E uji që rrjedh pastrohet! Kjo assesi nuk duhet të ndodh! Neve nuk na pëlqen uji i pastër, pasi aty gjithçka duket sheshit; ne jemi mësuar me pellgun tonë të amullt, në pisllëkun tonë, ku çdo herë fajtorin e kërkojmë jashtë nesh! Na pëlqen që çdo palë zgjedhje ta votojmë kundër një klase politike. Ne asnjëherë nuk votojmë PËR. E pse do votonim PËR, kur mundemi KUNDËR?!? Edhe pse dimë që gjendja e pellgut tonë qelbet erë kufome, ne përsëri votojmë kundër! Sepse kur votojmë kundër, jemi të sigurt që gjendja jonë nuk do të ndryshojë! Kur votojmë kundër, jemi më rehat në pellgun tonë dhe kushdo që e trazon këtë pellg është armiku ynë, e armiku përherë gjendet jashtë nesh!Neve na pëlqen të vegjetojmë në ditët tona të kota! Nëse do mund të kuptonim apo ndjenim botën e bimëve, ndoshta do mund edhe ta kuptonim ndonjë dimension tjetër, por nga ky dimension, ku ne jetojmë, vegjetimi është vetëm “zombizim” i qenies njerëzore! Por edhe për këtë gjendje ne nuk mund të jemi aspak fajtor, ndërsa i ardhuri po!?!
Ndërsa duke qenë palë me të Ardhurin nuk sheh asgjë,pasi atij nuk i lejohet të bëj asgjë! Ai nuk ka të drejtë të bëj asgjë, pasi gjithçka që ai mund ta bëj mund të jetë e rrezikshme. Ai nuk mund as të reagojë, as të thotë apo ndjej diçka, ai është vetëm pasqyrim. Ai është pasqyra ku turma e sheh vetveten. Dhe turma nuk e pëlqen pasqyrimin e vet në pasqyrë, kuptohet, për këtë shkak, e shpall fajtore pasqyrën! Prandaj edhe e thyen pasqyrën, sepse nuk i pëlqen pasqyrimi i vetes në pasqyrë! I ardhuri në shfaqje është një “Till Eulenspiegel” që ka ikur nga koha e tij dhe endet në kohën tonë! Dhe tmerrohet kur sheh se ku është katandisur njerëzimi; i duket punë e shkuar dëm gjithçka që ka bërë që njerëzit të ishin qenie që mendojnë. Në fund, i ardhuri mbetet si një“Pierrot” i pikëlluar kur sheh se njerëzit komunikojnë vetëm nëpërmjet kafshëllëkut të tyre!
I ardhuri në këtë shfaqje, m’u duk si engjëll i rënë në tokë, që tmerrohet kur sheh rrugën që ka marrë njerëzimi! Dhe sa shumë njerëzit shpejtojnë në këtë rrugëtim drejtë fundit! Ai nuk mund të ndërhyjë, ai thjesht vetëm brenda vetes e dokumenton këtë rrugëtim drejt fundit të botës, pasi e di se secili njeri është përgjegjës për vendimet dhe veprimet e tij!
Se çfarë mund të bënte apo ofronte i ardhuri, në shfaqje mbetet mister, sepse turma ka frikë nga e ndryshmja, nga e reja, qoftë ajo mendim, ide apo koncept! Dhe humbës në shfaqje është turma, pasi, ashtu siç ndodh edhe në jetë, uji që nuk rrjedh, nuk pihet!
Nuk mund të ketë shfaqje të mirëfilltë nëse tek aktorët në skenë nuk ndodh teatri i mirëfilltë, pasi aty është esenca e teatrit! Teatri i mirëfilltë ndodhi në Shkodër! Ajo që ndodhi tek aktorët në këtë shfaqje më shqetësoi shumë, pasi aktorët në skenën e ftohtë të Shkodrës nuk kishin as lëkurë që t’i mbrojë, ata ishin vetëm gjak, ndërsa unë i ndoqa me lot! /Nga Refet ABAZI, koha.mk/
(Autori është aktor dhe profesor universitar)