Bardh Spahia është zyrtarizuar nga “primaret” si kandidat i Komisionit të Rithemelimit të PD- së për Bashkinë e Shkodrës. Tashmë, ai ka ndërtuar shtabin e tij dhe ka nisur e vijon prej ditësh takimet me strukturat demokrate.
Takimi i radhës ka qenë në zyrën e shtabit të tij elektoral në qendër të qytetit të Shkodrës, ku përveç drejtuesve të PD- së Shkodër, të grupseksioneve dhe të pjesës dërrmuese të Kryesisë lokale, ishte i pranishëm edhe Belind Këlliçi, deputet dhe antar i Komisionit të Rithemelimit të PD.
Mësohet se gjatë takimit, janë diskutuar çeshtje organizative të fushatës, duke punuar nga afër me njerëzit në të gjithë territorin e Bashkisë Shkodër. Kundërshtari ynë i vetëm dhe i përbashkët jo vetëm i demokratëve por i të gjithë shqiptarëve, është Edi Rama, ka theksuar kandidati Bardh Spahia.
Në zgjedhjet politike të 25 prill 2021, Bardh Spahia ka qenë kandidati më i votuar në listën e PD- së, duke qenë një premisë fitoreje edhe për rezultatin e zgjedhjeve të 6 marsit 2022, kanë thënë një pjesë e të pranishmëve në takim.
Përveç takimeve të përditshme koordinative të shtabit të tij elektoral, Spahia po vazhdon takimet edhe me banorët në qytet dhe njësitë administrative me synim arritjen e rezultatit më të lartë të mundshëm në zgjedhjet e pjesshme vendore për Bashkinë e Shkodrës.
Pavarësisht se kandidati i “Shtëpia e Lirisë” duket i fokusuar tek përballja me Edi Ramën si kundërshtari i të gjithë shqiptarëve sipas tij, Spahia do të ketë përballë me 6 mars Majlinda Angonin e PS- së dhe Xhemal Bushatin e PD- së zyrtare. Duhet thënë se në shtabin e tij elektoral, edhe në mbledhjen e radhës, mbizotëron optimizmi për fitore në këto zgjedhje.