Një mbrëmje e veçantë sonte në Shirokë. Qindra qytetarë që frekuentojnë pikën turistike mbrëmjeve, kanë patur edhe një aktraksion më tepër. Bashkia e Shkodrës, duke nisur nga sonte, ka rikthyer traditën e “Kino Verore”: Transmetim i filmave apo komedive në sheshe të hapura për qytetarët. Siç ishte e kuptueshme, “Kino Verore” nisi me një nga kinokomeditë “dok” të kinematografisë shqiptare, “Çifti i lumtur”.
Një kinokomedi puro shkodrane, e realizuar në qytetin e Shkodrës, me pjesë dërmuese të aktorëve shkodranë, me skenar të të mirënjohurit Bik Pepa dhe thuajse totalisht e interpretuar në gegnisht. Bashkia e Shkodrës ka publikuar në faqen zyrtare në Facebook fotot e eventit, i cili duhet thënë se është mirëpritur nga shkodranët, ndërsa premtohet se iniciativa do të vijojë. /ShkodraWeb Media/
“Bashkia e Shkodrës rikthen traditën e “Kino Verore”. Në sfondin e mrekullueshëm që ofron Liqeni i Shkodrës në Shirokën piktoreske, u shfaq filmi kult “Çifti i lumtur”, një kinokomedi shkodrane në gjithçka.
Qytetarë të të gjitha moshave, nën puhizën e freskët të Liqenit të Shkodrës, kanë kaluar më shumë se një orë duke qeshur argëtuar me një nga veprat më gazmore të kinematografisë shqiptare.
“Kino Verore” vetëm sa ka nisur…”