Kur na ndajnë edhe dy muaj nga zgjedhjet e 25 prillit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar disa modele për fletët e votimit. KQZ thotë se është duke punuar mbi disa modele, por që ende nuk është përcaktuar modeli final.
Sipas fletëve model të publikuar nga KQZ do të jenë dy fletë votimit, në njërën do të jenë të renditura partitë politike ose koalicionet dhe në fletën tjetër kandidatët për deputetë për secilën parti apo koalicion.
Deri tani për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit janë regjistruar në KQZ 10 parti politike. Gjithashtu, KQZ ka vendosur të regjistrojë Komitetin Nismëtar që do të organizojë punën për paraqitjen e Pal Shkambit si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në zonën zgjedhore Qarku Shkodër dhe Komitetin Nismëtar që do të organizojë punën për paraqitjen e Plarent Aleksi si kandidat i propozuar nga zgjedhësit në zonën zgjedhore Qarku Berat.