Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur Qarkun e Shkodrës për të uruar “mirëmëngjes”. Ai ka shpërndarë disa foto nga zona e Tamarës në Malësi të Madhe.”MIRËMËNGJES dhe me diellin mbi Tamarën magjepsëse, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama në postimin e tij.
Ata që nuk jetojnë në Shkodër, vlerësojnë jo vetëm vëmendjen që Rama tregon për Veriun, por edhe cilësinë e fotove të publikuara. Të gjithë mendojnë se ato janë meritë e stafit të kryeministrit. Ata kanë shkuar deri në Tamarë për të evidentuar bukuritë natyrore dhe grishur turistët të ngjiten në M.Madhe.
Në fakt, këto foto si edhe të tjerat më herët nga Qarku i Shkodrës, nuk janë shkrepur nga stafi i panumërt i kryeministrit, sigurisht as nga vetë Rama. Sepse po të kishte qenë në Tamarë këtë fundjavë, ai do të kishte dalë “live” në Facebook me patjetër.
Fotot janë shkrepur nga Terenc Pepa, jo vetëm një fotograf por edhe promovues i vlerave turistike të rajonit të Veriut, sidomos Qarkut të Shkodrës. Fotot janë publikuar në profilin e Terenc Pepës me datë 22 maj, ndërsa me to Rama uron mirëmëngjes me 24 maj.
Natyrisht, nuk ka asgjë të keqe që kryeministri të promovojë Veriun me imazhe të sigurura nga fotografë shkodranë. Po ashtu, fotografitë janë marrë e përdorur me leje nga autori. Përtej kësaj, do të ishte detyrim që të citohej autori, ai që ka shkrepur këto foto dhe përmes të cilave, kryeministri tregon se “sa shumë është i interesuar” për Qarkun e Shkodrës.
Gjithsesi, e rëndësishme është të promovohet turizmi, sidomos në këtë fillim sezoni. Por është po aq e rëndësishme të vlerësohet edhe puna e përditshme që individë të caktuar si Terenc Pepa, bëjnë pa patur asnjë lloj përfitimi, përveç kënaqësisë shpirtërore. /ShkodraWeb/