Ibrahim Bilali, siç njihej në Shkodër Brahim ose Baç Bilali, ka qenë një figurë e njohur në qytet edhe përtej tij. Ai është prej shumë vitesh në kryetë shoqatës “2 Prill 1991” por edhe drejtues i strukturave lokale të PD-së. Bilali është edhe një person që ka marrë një vlerësim të lartë nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Një ditë para festimeve të rradhës, thuasje 4 vjet më parë, me 1 prill 2015 në Presidencë Brahim Bilali do të nderohej me dekoratën e lartë “Dekorata e Artë e Shqiponjës”. Në foton e siguruar nga ShkodraWeb, është pikërisht ky moment ndërsa më poshtë mund të lexoni edhe njoftimin zyrtar të Presidencës lidhur me dekorimin.
Në një ceremoni të organizuar në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, Kreu i Shtetit shqiptar Sh.T.Z. Bujar Nishani në vlerësim të veprimtarisë së tyre kundër diktaturës, mbrojtjes së idealeve kombëtare si dhe në shenjë mirënjohjeje për sakrificën sublime deri në dhënien e jetës për lartësimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë ngriti në piedestal me Dekoratën “Nderi i Kombit” katër të rinjtë që mbetën të vrarë nga policia gjatë demonstratës antikomuniste të zhvilluar në Shkodër në 2 prill 1991: Arben Broci (pas vdekjes), Bujar Bishanaku (pas vdekjes), Nazmi Kryeziu (pas vdekjes) dhe Besnik Cekën (pas vdekjes).
Gjithashtu Presidenti Nishani vlerësoi me “Dekoratën e artë të shqiponjës” edhe disa prej organizatorëve të kësaj demonstrate: Marina Rraboshta, Xhavid Grezda, Çlirim Hebovija, Sokol Hoti, Brahim Bilali dhe Haris Muranën për veprimtarinë e spikatur kundër diktaturës dhe shtypjes, si dhe sakrificat e tyre të pamohueshme në shërbim të përhapjes së vlerave të lirisë dhe demokracisë.