Në një iniciativë të paprecedent në 30 vitet e fundit, kryeministri Edi Rama ka ftuar drejtorët rajonalë të qarkut Shkodër të dorëhiqen nga postet e tyre. Kërkesa u është bërë ditën e djeshme (e merkurë) në një takim në selinë rozë në Tiranë. Pa u mbushur 24 orë, kanë ardhur dorëheqjet e para nga këto poste, ndërsa janë mësuar edhe emrat e parë.
Luan Heta, ish- kryetar i PS Shkodër dhe i përfolur si kandidat për kryetar të Këshillit të Qarkut, ka dhënë dorëheqje nga drejtor i Hidrocentralit Vau Dejës.
Edmond Emini, i emëruar kryetar i PS-së qytet në prag të 30 qershorit, ka dhënë dorëheqje nga drejtor i Abaposta.
Fuat Alibali, ka dhënë dorëheqje si drejtor i njërit prej sektorëve të OSHEE/KESH.
Astrit Beci, ish- deputet dhe ish- drejtor i FSKDSH-së, i përfolur si koordinator i mundshëm në vend të Valdrin Pjetrit, ka dhënë dorëheqje si drejtor i Shëndetit Publik.
Mustaf Kraja, ka dhënë dorëheqje si drejtori Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë.
Agim Dardha, ka dhënë dorëheqje si drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura.
Kadri Ymeri, ka dhënë dorëheqje si drejtor i Zyrës Arsimore Shkodër.
Ardian Dajti, ish- kandidat për deputet, është dorëhequr nga posti i drejtorit të Spitalit Rajonal Shkodër.
Sipas gjasave, numri i drejtorëve të dorëhequr është më i lartë, por deri tani janë mësuar vetëm këto emra. Në orët në vijim, priten edhe emra të tjerë drejtorësh të dorëhequr pas kerkesës së kryeministrit Rama.