Konkursi i bukurisë “Logu i Bjeshkëve” ka kurorëzuar më të bukurën. Një aktivitet tashmë tradicioanal për Malësinë e Madhe, që zhvillohet në mes të një pejsazhi mahnitës si Qafa e Predelecit në Kelmend, merr vlera të reja nga viti në vit.
I organizuar nën kujdesin e kryebashkiakut të M.Madhe Tonin Marinaj, me pjesëmarrjen e autoriteteve dhe personaliteteve edhe nga përtej Qarkut të Shkodrës, “Logu i Bjeshkëve” ka shpallur më të bukurën vajzën Ramona Tinaj nga Vermoshi. Ky çmim duket se ka gjetur edhe miratimin e të pranishmëve, të cilët e kanë mirëpritur dhe vlerësuar edhe vendimin e jurisë.
“Logu i Bjeshkëve”, i konceptuar si një spektakël i mirëfilltë në gjirin e natyrës, u pasurua edhe me interpretimet e Nikollë Nikprelaj, Vida Kunora, Klodiana Vata, Pretash Nilaj, Lisa Bujaj, Ylli Sufaj, Luigj Tinaj, Fredi Delaj, Violeta Deda, Arton Nikprelaj, Gabriel Rraposhi, Kjara Pepushaj, Marash Kaçaj, Drande Xhaj dhe Gëzim Mezini.
Spektakli u drejtua nga aktori Bruno Shllaku dhe Valbona Preldakaj. Fotot që ilustrojnë këtë informacion, janë marrë “pa leje” nga profili i Manjola Zekaj Arizaj, pjesë e këtij evenimenti të rëndësishëm.