Nga fotografitë e Marubit, tek krijimet e modës kontemporane. Ishte kjo ideja e materializuar mbrëmjen e të shtunës në pedonalen e Shkodrës “Kol Idromeno” në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore. Sfilata e modës është kuruar nga stafi i Fototekës Kombëtare “Marubi” dhe ka ardhur si bashkëpunim i “Ti Institute”, Ministrisë së Kulturës dhe është mbështetur nga Bashkia e Shkodrës.
Përveç sfilatës me krijimet e stilistëve Etnik Shala, Besa Rugova, Dorina Kola dhe Hilda Maha, nuk kanë munguar edhe aksesorë të tjerë që pasuruan eventin si muzika e zgjedhur dhe veçanarisht interpretimet e aktores Ema Ndoja, e cila kthehej në qytetin e lindjes pas një kohe relativisht të gjatë mungese.
Eventi i organizuar në pjesën më të frekuentuar të Shkodrës, tërhoqi interesin e qindra shkodranëve por edhe turistëve të huaj, të cilët “u gozhduan” thuajse 2 orë për ta shijuar. Stilistët e rinj, në krijimet e tyre, kanë patur si referim veshjet e personazheve të fotografuar në vite nga dinastia shkodrane e Marubëve. Më poshtë, fotot e realizuara nga fotografi Aldo Sheldija. /Nga Alda DELIJA/