Partia Demokratike e Rithemelimit në Shkodër ka mbledhur Kryesinë e saj, në vazhdën e takimeve përgatitore për fushatën elektorale të 14 maj 2023.
Ka qenë kryebashkiaku Bardh Spahia, i cili me një publikim në rrjetet sociale, ka përcjellë mesazhin e tij me pak rreshta dhe disa foto nga takimi i zhvilluar pasditen e sotme.
“Në 14 Maj “Bashkë fitojmë”! Dita e ndryshimit dhe shpresës për qytetarët shqiptar po afron dhe Shkodra do të jetë uragani i fitores. Me kryesinë e Partisë Demokratike të bashkuar dhe gati për t’i ofruar alternativën më të mirë qytetin tonë.”, shkruan Spahia.
Në fotot e publikuara vihet re në krah të Spahisë një figurë e njohur, Aleksandër Marleci. Nga viti 2015 ai ka mbajtur postin e sekretarit të PD Shkodër dhe nga viti 2021, duke u pozicionuar në krah të Bashës dhe Alibeajt pas përjashtimit të Berishës nga Grupi Parlamentar.
Ndërkohë, mësohet se Marleci i është bashkuar PD- së së Rithemelimit në Shkodër, duke braktisur grupimin Alibeaj në PD. Ai do të vijojë të mbajë postin e sekretarit, pas emërimit nga Kryesia e PD- së së Rithemelimit në Tiranë.