Janë ditët e fundit të fushatës elektorale dhe kandidati i “Shtëpia e Lirisë” për Bashkinë Shkodër Bardh Spahia, vijon takimet intensive me banorët në territor. Takimt e radhës janë zhvilluar në Rajonin 4 të qytetit, ku Spahia ka bashkëbiseduar me qytetarët, nga të cilët ka marrë mbështetje.
Në një publikim në faqen e tij zyrtare në Facebook, të shoqëruar edhe me foto, kandidati i “Shtëpia e Lirisë” Bardh Spahia, përcjell mesazhin e tij:
“Pak ditë na ndajnë nga takimi ynë i rëndësishëm me historinë! Bashkë me shkodranët me 6 mars hapim një faqe të re për Shkodrën për të vijuar në të gjithë Shqipërinë!”, shkruan Bardh Spahia.
Dita e premtë 4 mars 2022, është dita e fundit ku lejohet fushata elektorale. Të shtunën është “heshtje zgjedhore” ndërsa të dielën, nga ora 07.00 deri në orën 19.00, qytetarët janë të ftuar të votojnë për kryetarin e Bashkisë së Shkodrës për një mandat që do të jetë diçka më shumë se një vit.