Më 4 nëntor, Kisha Katolike në Shqipëri e Kryeipeshkvia e Shkodrës përkujtojnë 34- vjetorin e kremtimit të Meshës së Shenjtë ndër varreza të Rrmajit të Shkodrës nga dom Simon Jubani, që shënoi rënien e regjimit të diktaturës ateiste komuniste dhe rifitimin e lirisë e të demokracisë në Shqipëri.
Pra, shkodranëve u takon merita e rivendosjes së demokracisë në Shqipëri. Pas dekadash të tëra të ndalimit të rrëfimit të fesë në Shqipëri nga regjimi ateist e komunist, meshtar katolikë dom Simon Jubani, para 34 vjetësh kremtoi Meshën e parë në Shkodër duke sfiduar terrorin e diktaturës komuniste e duke bërë të shpërthente fuqia e lirisë mbi diktaturën, fuqia e së mirës mbi të keqen, e dashurisë e vëllazërimit mbi urrejtjen e përçarjen. Mesha e kremtuar nga dom Simoni hodhi themelet e lirisë e të demokracisë në Shqipëri pas dimrit të egër e të gjatë të imponuar nga komunizmi.
Prifti shkodran dom Simon Jubani njihet si një nga njerëzit e meshtarët shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgje komuniste dhe që ka qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore e kombëtare as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve. Kështu mund të pohojmë se kremtimi e Meshës së parë më 4 nëntor 1990 në varreza të Rrmajit, qe shprehje e asaj fuqie shpirtëror hyjnore e njerëzore që diktatura komuniste nuk arriti kurrë ta çrrënjoste nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë. Dom Simon Jubani u bë kështu nismëtari i rihapjes së Kishave e Xhamive në Shqipëri kur komunizmi ende nuk ishte rrëzuar. Kleri e Kisha Katolike u bënë edhe një herë shkëndija që rifitoi lirinë e rivendosi demokracinë në Shqipëri.
Ja një dëshmi mbi fjalën apo më mirë të themi homelinë që dom Simon Jubani kumtoi atë ditë të paharrueshme që solli agimin e lirisë:
“Vllazën dhe Motra!
Le t’i kujtojmë për një minutë në heshtje të gjithë Këta të vdekun që kemi ndër këto vorreza dhe të gjithë Ata Vllazën e Motra tona, që kanë ra për një Shqipni Europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme.
Në vitin 1443, kur Heroi i ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe, e përshëndeti Popullin Shqiptar me këto fjalë:
“Lirinë nuk ua solla unë por e gjeta midis jush!”
Unë, i padenjë për këte mision po ju tham: Se, fenë nuk ua pruna unë por e gjeta të ndezun ndër zemrat Tueja!…
…Shkodra qytet me një histori ma të lashtë se dymijvjeçare, Shkodra dikur kryeqyteti i Ilirisë, Shkodra e Gentit e Teutës e Agronit, Shkodra që deri para 50 vjetësh i ka dhanë gjithë Shqipnisë tonin moral, kulturor, politik, fetar e ekonomik, kjo Shkoder asht gati edhe sot me bashkpunue me Tiranën e me të gjitha qytetet e Shqipnisë, sepse trashigimtarët e Gjergj Balshës së madh dhe të Marin Barletit, mbasardhësit e Bushatlive, të Fishtës, të Oso Kukës, të Don Ndoc Nikës, të Don Ndre Mjedjës, të Gurakuqit, trashigimtarët e Frashërlive, të Konicës, të Fan Nolit gjinden këtu në këto troje Shqiptare, të gatshëm me e ripërtri edhe njëherë traditën e autoritetin që ka gëzue Shqipnia mbrendë e jashtë Atdheut! Amen.”.