Në Shkodër, teksa prezantova drejtorin e ri të Policisë, oficerin e karrierës Fatmir Lleshaj, kërkova rritjen e forcës goditëse ndaj paligjshmërisë në tërësi, krimit të organizuar në veçanti dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale, me fokus të veçantë tek parandalimi i këtyre ngjarjeve duke vlerësuar me prioritet çdo informacion apo të dhënë që vjen nga inteligjenca apo qytetarët.
Për drejtorin e ri është rikthim në Shkodër, këtë herë në një rol drejtues.
Falënderova Edmond Sulajn për kontributin e vyer. Nën udhëheqjen e tij u arritën rezultate të rëndësishme, veçanërisht në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, problem që kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe përkushtim.
Megjithatë, sfida mbetet dhe është e qartë: Grupet kriminale vazhdojnë të jenë një kërcënim për sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve të Shkodrës. Ngjarjet e fundit kanë treguar se është urgjente nevoja për të forcuar operacionet dhe për të krijuar një mjedis ku krimi nuk gjen hapësirë për të vepruar.
Z. Lleshaj ka detyrën dhe përgjegjësinë për të intensifikuar përpjekjet në këtë drejtim, për të punuar ngushtë me të gjitha strukturat dhe për të forcuar bashkëpunimin me komunitetin. /Publikuar në Facebook nga ministri i Brendshëm, Ervin HOXHA/