Ditën e sotme Ministrja për Mbështetjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali, njëkohësisht edhe kryetare e PS- së për Qarkun Shkodër, ka mbledhur Asamblenë e PS- së për Malësinë e Madhe.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Bilali, përmes postimit të disa fotove në faqen zyrtare në Facebook, të shoqëruara edhe me disa rreshta informacion lidhur me çfarë është diskutuar:
“Fundjava në qark
Në Malësi e Madhe me Asamblenë e Partisë Socialiste për të diskutuar për rezultatin zgjedhor, pikat e forta e nevoja për përmirësim. Nga skuadra e PS bashkë me Prefekten Majlinda Angoni , Kryetarin e Bashkisë Tonin Marinaj dhe Nënprefekti Hysen Hysaj nënvizuam:
-vendosjen e rinisë në qendër të PS
-riorganizimin e strukturave për të rritur pjesëmarrjen dhe efiçencën
-rritjen e pjesëmarrjes së gruas
-përmirësimi i performancës nga drejtuesit vendorë
– antarësimet e reja”, shkruan Bilali në publikimin e saj në Facebook.
Nga fotot, bie në sy mungesa e deputetit Paulin Sterkaj, më i votuari me 25 prill 2021 nga radhët e PS- së por edhe përfaqësues direkt i Malësisë së Madhe në Kuvend dhe në strukturat e larta socialiste në Tiranë. Pas terheqjes nga Rama në një nga deget e PS- së Tiranë, Sterkaj nuk ka qenë i pranishëm as në atë që mund të quhet prezantimi i parë zyrtar i Edona Bilalit si kryetare e PS- së për Qarkun Shkodër.