Stadiumi “Fadil Vokrri” i qytetit të Prishtinës ka qenë sot arena e një ndeshje shumë të veçantë. Në fushën e lojës kanë zbritur ekipet e veteranëve të përfaqësueseve të Kosovës e Shqipërisë, për një ndeshje e cila kishte si qëllim kujtimin e figurës legjendare të futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili u nda në mënyrë të papritur nga jeta në vitin 2018.
Në fushën e lojës kanë zbritur emra shumë të njohur të futbollit shqiptar si Kushta, Ballgjini, Zmijani, Beqiri, Jupi, Duro e Fakaj apo edhe “djemtë e shtëpisë” si Dallku e Curri, për një ndeshje që është luajtur në një atmosferë shumë miqësore duke kthyer pas vitet për shumë nga këta emra. Kjo vëllazërore e veçantë u mbyll me shifrat 1-1 e më pas me penallti ka fituar përfaqësuesja e veteranëve të Kosovës.
Para fillimit të ndeshjes, të dy delegacionet kanë qenë të pranishme në ceremoninë e prezantimit të shtatores të Fadil Vokrrit që u vendos para stadiumit në fjalë, për të përkujtuar gjithmonë këtë legjendë të futbollit kosovar.