Prej disa ditësh në rrjetet sociale vijojnë debatet për ngjyrën e ndërtesës së kinemasë së vetme të Shkodrës, e cila nga 8 nëntori 2023, ka kaluar nën administrimin e bashkisë, pas më shumë se 20 viteve administrim nga privati.
Hapi i parë i Bashkisë Shkodër, ishte restaurimi i pamjes së jashtme, i cili kulmoi me bojatisjen e jashtme. Pikërisht tek ngjyra e dhënë, rozë, bojëmollë, pink, është perqendruar debati.
Nuk është e vështirë të kuptohet se debati ka hyrë e po shtyhet në shina politike- ideologjike përsa kohë specialistë, të cilët mund të jenë arkitektë, arredues, piktorë etj., nuk kanë preferuar të përfshihen.
Nuk është e qartë nëse ngjyra aktuale është përfundimtare apo është një shtresë e parë që ndoshta forcon apo konsolidon restaurimin që iu bë pjesës së jashtme të kësaj ndërtese.
Por debati mund të zgjerohet edhe më shumë, në kuptimin ideologjik- politik. Ata që kanë qenë të vemendshëm për ngjyrën e ndërtesës, mesa duket e kanë parë nga larg. Po të afrohesh, “zbulon” edhe detaje të tjera që mund të bëhen pjesë e debatit.
Në pjesën ballore të hyrjes, kinemaja ka 8 kollona, të kombinuara dyshe apo çift. Në pjesën e sipërme të tyre, ka disa simbole që lidhen me kohen kur kinemaja është ndërtuar. Në të gjitha anët, ka nga një yll me 5 cepa dhe poshtë tij, kallëza grupi. Këto simbole, i kemi patur për rreth 45 vite para syve. Megjithatë, nga 1990- a e këtej, askujt nuk i kanë rënë në sy.
Është pak a shumë, e njëjta situatë si me mozaikun e Muzeut Historik Kombëtar në TIranë, ku diskutohej një yll me 5 cepa, ngjyrë e kuqe. Tani, le të plasë e të ndizet debati edhe për yjet e kallëzat e grurit, të hidhen alternativa të ndryshme, deri tek…shembja e ndërtesës dhe ngritja e një të reje.
Ata që duan “kauzë”, tashmë e kanë, mjafton ta artikulojnë publikisht… Në fakt, debati duhet të jetë krejt tjetër. 45- vitet e diktaturës komuniste, persekucionit, janë gjurmë të thella të shënjuara me jetët e mijëra shqiptarëve. Ato nuk mund të fshihen as me bojë, as me rikonstruksione apo edhe shembje ndërtesash.
Ajo që duhet të diskutohet, në rastin e kinemasë së vetme në Shkodër është rikthimi i saj në funksionin parësor, atë të shfaqjes së filmave, organizimit të eventeve kulturore e artistike. Sepse këto 20 vitet e fundit, më shumë se për filma, ishte pikë takimi për kafe, gotë birrë apo qebap në pjesën e jashtme e të brendshme të saj. Nërsa pëër bojën nuk duhet shqetësuar shumë. Siç edhe në shumë ndërtesa, do të mendojnë agjentët atmosferikë për ndryshimin e ngjyrës. Tani le të hapet debati për yjet dhe kallëzat e grurit “komuniste” që i mbijetuan 34 vjet syrit “vigjilent” të antikomunistëve që merren me ngjyrat e ndërtesave! /Nga Sokol N. SOKOLI/