Pas dy ditëve pushim ekipi i Vllaznisë i është rikthyer ditën e sotme stërvitjes. Përpara fillimit të saj, i pranishëm në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi” ka qenë edhe trajneri Mirel Josa i cili është përshëndetur me të gjithë lojtarët, stafin teknik e mjekësor si dhe me drejtuesit e klubit dhe është larguar duke i uruar suksese atyre në vazhdim.
Më pas, presidenti Alban Xhaferi ka zhvilluar një takim me skuadrën duke prezantuar edhe zyrtarisht para tyre stafin e ri, trajnerin Auron Miloti dhe drejtorin sportiv Vioresin Sinani.
Pas një bashkëbisedimi me të gjithë futbollistët, ekipi ka vijuar punën në fushën e stërvitjes duke zhvilluar seancën stërvitore të rradhës.