Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në Shëngjin. Një person ende i pa identifikuar ka ekzekutuar me armë zjarri biznesmenin Ardian Nikulajn, 50 vjeç. Ai mësohet se po qëndronte në një lokal në pronësi të tij në zonën e shëtitores, në hyrje të Shëngjinit, kur u qëllua për vdekje.
Ndërkohë ShkodraWeb ka siguruar foton e momentit kur autori i drejton armën biznesmenit Ardian Nikulajn, duke e lënë atë të vdekur. Siç shihet autori ishte me kokore, maskë anti- Covid, e jelek fosforeshent. Ndërkohë biznesmeni ndodhej i ulur në tavolinë duke pirë kafe. Në pamje shihet edhe një person i tretë, roli i të cilit momentalisht mbetet i paqartë.
Dyshimet janë se ekzekutori erdhi me motor në vendin e ngjarjes, megjithatë momentalisht nuk është e qartë nëse ishte i vetëm apo kishte një bashkëpunëtor që e priste jashtë.
Autori qëlloi të paktën 7 herë në drejtim të 50-vjeçarit duke e lënë të vdekur në vend. Nikulaj mësohet se u gjet nga të afërm të tij, të cilët njoftuan policinë. Si shkaqet ashtu sikurse autorët e këtij ekzekutimi mafioz mbeten të paqarta.
“Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes”, tha Policia e Lezhës në një informacion paraprak për ngjarjen.
Nikulaj ishte një figurë e njohur në zonë, pasi ishte biznesmen në fushën e hoteleri turizmit, por ka pasur edhe aktivitet politik. Ai ka qenë kandidat i Partisë Socialdemokrate (PSD) në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021. Ai ka qenë kandidati numër 1 në listën e Partisë Socialdemokrate për Lezhën ku ka marrë 97 vota.
Në formularin e dekriminalizimit që ka dërguar në KQZ asokohe, 50-vjeçari ka pohuar se është dënuar me 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje më 24 Nëntor të vitit 2003 ndërsa 3 vite më vonë, më 1 Dhjetor 2006, me gjobë për falsifikim.
Pyetjes se a ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, Nikulaj i është përgjigjur me po, por nuk ka dhënë sqarime pasi ka shkruar “nuk më kujtohen detaje”.