Ditën e sotme, e martë, më 9 prill 2024, Myftinia Shkodër shpërndau 50 pako ushqimore në prag të festës së begatë të Fitër Bajramit.
Këto pako ushqimore, që u shpërndanë në oborrin e xhamisë së “Dy Vajzave”, ishin rezultat i punës së palodhur bamirëse të aktivistit Enes Mandi, i cili herë pas here merr përsipër nisma bamirëse, përmes dhuruesve dhe kontribuuesve zemërgjerë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Kontingjenti i ndihmave të sotme erdhi si dhuratë nga xhamia “Besimi” në qytetin Fribourg, Zvicër.
Myftinia Shkodër falënderon vëllezërit e xhamisë Besimi, në Fribourg të Zvicrës, për bamirësinë e tyre në këtë ditë të fundit të muajit të Begatë të Ramazanit, si dhe aktivistin besimtar, Enes Mandi për nismat e tij të lavdërueshme dhe të dobishme për komunitetin.
Gjatë muajit të Begatë të Ramazanit të sivjetshëm, Myftinia Shkodër, përmes bashkëpunimeve të frytshme të saj, ka ndihmuar rreth 1500 familje në nevojë, duke shpërndarë pako ushqimore në këtë muaj të bamirësisë së madhe. /Publikuar në faqen zyrtare në Facebook të Myftinia Shkodër/