Lirimi i hapësirave publike në territorin e Bashkisë së Shkodrës duket se është një proces i nisur dhe që nuk do të ndalet deri në përmbushjen e detyrës nga strukturat e qeverisjes vendore.
Përveç qytetit të Shkodrës, lirimi i hapësirave publike është shtrirë edhe në zonat turistike. Këtë të shtunë grupet e punës janë përqendruar në zonën e Velipojës, plazhi i të cilës është ndër më të preferuarit gjatë stinës së verës.
Në fotot e siguruara nga ShkodraWeb, shihet se grupet e punës po monitorojnë nga afër situatën, lidhur me respektimin e hapësirave publike, të cilat duhet të jenë në dispozicion të pushuesve që nuk preferojnë stacionet private të plazhit.
Në krye të grupit të punës është shefi i Policisë Bashkiake Gent Nehani, teksa është i pranishëm dhe bashkëbisedon me qytetarët edhe kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci.