Shfaqja e filmit me metrazh të shkurtër “Ku jeni ju” u prit me interes nga miq të ndryshëm të muzeut. Fotografi zviceran Hans Peter Jost nëpërmjet këtij filmi na tregoi punën kërkimore që kishte bërë, në identifikimin dhe gjetjen e disa fëmijëve, të cilëve i kishte shkrepur një fotografi në vitin 1992, në një nga zonat e thella malore të Shqipërisë veriore.
Pas disa viteve kërkime, me ndihmën e miqve të tij shqiptarë dhe rrjeteve sociale ai arrin t’i gjejë ato. Tashmë të rritur dhe familjarë, pjesa më e madhe e tyre jetonin në emigracion, duke zhvilluar profesione nga më të ndryshmet.
Filmi përshkon mjaft mirë tranzicionin politik dhe shoqëror shqiptar, duke evidentuar edhe plagët ende të pashëruara të historisë së 33 viteve të fundit të vendit tonë, të trashëguara pashmangshmërisht nga e kaluara komuniste.