Akademia e Shkencave mori vendimin për të botuar këto dy vëllime të studimeve shkencore të anëtarit të Asamblesë së saj, fizikanit të talentuar Artan Boriçi, që u largua papritur prej nesh një vit më parë. Në to përmblidhen artikujt e tij të botuar në periodikët shkencorë të disa vendeve europiane dhe referatet e paraqitura në ngjarje të rëndësishme shkencore jashtë e brenda vendit.
Ky botim bëhet në kuadër të traditës sonë të publikimeve ad honorem. Është një detyrim yni për të përfshirë në bibliografitë shkencore brenda vendit pasurinë e larmishme të studimeve të Artanit në një botim si ky; hap i cili do të pasohet më tej edhe me botimin akademik të kontributeve universitare të tij.
Artan Boriçi hyri në radhët e akademikëve në moshë të re dhe iku pabesisht prej nesh, shumë para kohe, në një moment kur ne prisnim kalimin e stafetës së suksesit nga një brez në tjetrin. Rrugëtimi i tij si anëtar i Akademisë së Shkencave qe nga më të shkurtrit, por njëherësh dhe nga më gjurmëlënësit, për vetë personalitetin dhe kapacitetin intelektual që përfaqësonte. Ai ka lënë pas një trashëgimi që nuk e nxe dot korniza e viteve. Kjo trashëgimi kaq e suksesshme, me shumë punë dhe arritje shkencore cilësore, vlen të botohet në formë të përmbledhur, për ta zëvendësuar sado pak mungesën e tij.
Pranimi i Artan Boriçit si anëtar i Akademisë së Shkencave pak më shumë se dy vjet më parë është nga më të merituarit e më të mirëpriturit nga tërë komuniteti i fizikantëve, nga gjithë anëtarët e Asamblesë së saj dhe veçanërisht nga profesorët e më vonë kolegët e tij akademikët Rexhep Meidani e Floran Vila. Kjo për shkak të tërë cilësive që ai kishte treguar si student, si pedagog, si kërkues shkencor e si fizikant gjatë gjithë rrugës së formimit dhe të veprimtarisë së tij krijuese studimore.
Formimi dhe veprimtaria e tij dallohen për disa veçori. Artani i mbaroi studimet e larta si fizikant dhe e mbrojti doktoraturën në fushën e matematikës. Ai bashkëpunoi me profesorë nga më të njohurit brenda dhe jashtë vendit dhe me qendrat më elitare të shkencës siç është CERN-i. Botimet e tij u mirëpritën në revista ndër më të njohurat e më të kuotuarat. Për realizimin e projekteve të tij në fusha nga më të vështirat e më komplekset të shkencave matematike e fizike; me formimin e thellë të dimensionit europian që përfaqësonte; me veprimtarinë dhe arritjet e tij shkencore cilësore; Artani fitoi edhe besimin dhe mbështetjen e organizatave ndërkombëtare më të rëndësishme, siç është NATO etj.
Artan Boriçi bashkëpunoi me sukses me disa qendra të mirënjohura të fizikës dhe matematikës në Zvicër e Gjermani. Në këtë proces ai u bë pjesë e ekipeve të specializuara për kërkime bërthamore europiane. Artani ishte një prej vlerësuesve dhe paravlerësuesve të konkursit të përvitshëm për çmimin Nobel në fizikë. Institucionet shkencore europiane kishin formuar bindje në formimin shkencor të Artan Boriçit sa të mirëbesonin buxhete me vlera të mëdha për projektet që propozoheshin prej tij si individ apo në emër të Universitetit të Tiranës, ku bashkoi energjinë e tij mendore. Ai ftua të bashkëpunonte dhe bashkëpunoi me përgjegjësinë që e cilësonte edhe prej agjencive kërkimore me profil të ngushtë specializimi që nga Zvicra deri në Skoci.
Rezultatet e veprimtarisë së tij shkencore, të publikuara në tribuna nga më prestigjiozet në Botë, e grupojnë atë në kërkuesit që kanë arritur cilësinë shkencore të nivelit më të kërkuar sot. Ndër më të vlerësuarat është zgjedhja që ai bëri, që, pas gjithë atij kualifikimi cilësor dhe veprimtarie të lavdërueshme, të nivelit të kohës, në disa qendra kërkimore e universitare jashtë vendit, të kthehej në Shqipëri, ku eci me të njëjtin ritëm, duke lënë gjurmë e duke dhënë kontribut të çmuar edhe në procesin e reformimit ligjor-institucional të Akademisë së Shkencave, për ngritjen e Institutit Kombëtar të Fizikës pranë saj dhe të qendrës laboratorike të njohur me emrin e shkurtër QSDLAB PC-Cluster, që funksionon pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës.
Me këtë botim arritjet shkencore të Artan Boriçit do të jenë në duart e studiuesve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai e shkroi jetën e tij në këto arritje, prandaj dhe e meritojnë interesimin tonë. Ikja e tij e parakohshme ishte ikje e një përfaqësuesi cilësor të dijes, që i kishte të rrallë shokët jo vetëm në brezin e tij, por edhe në historinë e shkencës së matematikës e fizikës në Shqipëri. Ai ishte prej atyre intelektualëve të rrallë që jo vetëm u formuan, por arritën të bëhen konkurrentë të suksesshëm edhe në një shoqëri që gjithë progresin e saj e ka ndërtuar prej shekujsh mbi parimin e garës së më të suksesshmëve; në një shoqëri që ishte ideale për brezat e rinj në Shqipëri, si Europa e Perëndimit.
Artan Boriçi u bë anëtar i Akademisë sonë të Shkencave me nivelin dhe cilësinë e një studiuesi europian, si një shkencëtar që nuk zëvendësohet në dekada.
Shumë pak kohë bashkudhëtuam me Artan Boriçin në Akademinë e Shkencave. Por vepra e tij do të mbetet në Librin e Artë të Shkencës shqiptare dhe emri i tij është shkruar në Amzën e Librit të Artë të Albanologjisë. Me këtë botim ne po bashkojmë mendjen e veprën e tij me mendimin dhe veprimtarinë më cilësore akademike-universitare në Shqipëri e jashtë saj.