Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako priti përfaqësuesit e FBI-së që do të asistojnë Policinë e Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve dhe terrorizmit.
Gjatë takimit me dy përfaqësuesit e FBI-së, Atasheun e FBI/LEGAT Jack Liao dhe Mark Newhouse, Agjent Special i FBI-së, i specializuar për hetimin e krimit të organizuar, u vlerësua me nota shumë pozitive bashkëpunimi mes FBI-së dhe Policisë së Shtetit në luftën kundër terrorizmit, si dhe lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit e bërë nga Policia e Shtetit këtë vit, duke e cilësuar si histori suksesi.
Në takim u konfirmua vullneti i zyrtarëve amerikanë për të ndihmuar Policinë shqiptare kundër krimit të organizuar dhe në mënyrë specifike kundër krimit financiar, transfertave të paligjshme dhe aseteve të ardhura nga aktivitete kriminale.
Çako falenderoi zyrtarët e FBI-së dhe u shpreh se eksperienca e tyre do të shërbejë për orientim drejt rrugëve më të mira për të goditur dhe vënë përpara përgjegjësisë grupet e strukturuara kriminale.
Më pas zyrtarët e FBI-së janë takuar me Drejtorin e Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda, Idajet Faskaj.
Takimet e këtij delegacioni do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme edhe me zyrtarë të tjerë të shtetit shqiptar.