Ndërsa Zef Hila shpalli kandidaturën e tij për primaret e PD- së në Vau Dejës, nisën hamendësimet për deputetin që do ta zëvendësonte nga lista e depozituar në KQZ për 25 prillin 2021.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, të cilit i takonte mandati sipas numrit të votave nominale të fituara pas rirreshtimit të listës nga KQZ- ja, vendosi të bëhet pjesë e primareve për një mandat tjetër dhe tashmë bashkë me Zef Hilën, janë kandidatët zyrtarë të PD- së me 14 maj 2023.
Pas tij, sipas listës së dorëzuar në KQZ me firmën e Bashës e të riformatuar nga Celibashi sipas votave të fituara, radha për të hyrë në Kuvend kaloi tek Lodovik Hasani, përfaqësues i Pukës në qarkun e Shkodrës.
Pati hamendësime se Hasani, kishte simpati për Bashën në situatën në të cilën është PD-ja aktualisht, nisur edhe nga disa postime por edhe foto në rrjetet sociale, që tashmë nuk gjenden.
Duket se sot këto hamendësime kanë marrë fund, bazuar në disa foto të ceremonisë së 32 vjetorit të PD- së. Lodovik Hasani është pjesëmarrës, jo vetëm takohet por edhe bashkëbisedon me Berishën, pozon me numrin 2 të PD- së Flamur Noka si dhe me deputetin Zef Hila, vendin e të cilit do të marrë në Kuvend.
Është e qartë se me futjen në Kuvend kur Hila ti lirojë vendin për të kandiduar si kryebashkiak i Vau Dejësit, Lodovik Hasani do të jetë ndër deputetët mbështetës të Berishës, ashtu siç është sot edhe paraardhësi.