Një pelikan u dëmtua në Shkodër pak ditë më parë, ndërsa u dërgua në Divjakë për një trajtim të specializuar. Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në qarkun e Fierit, që mbulon Parkun Divjakë-Karavasta Ardian Koçi thotë se dje pelikani iu nënshtrua një ekzaminimi klinik. Ai thekson se nga radiografia duket prania e saçmave të çiftes së gjahut, ndërsa sot do të operohet për të bashkuar kockën.
“Pelikani i plagosur, që arriti nga Shkodra para pak ditësh, iu nënshtrua një ekzaminimi klinik më të specializuar. Nga radiografia duket qartë prania e saçmave të armës së gjahut, njëra prej tyre ka thyer radiusin. Nesër (sot) pelikani do të operohet duke bashkuar kockën dhe duke e fiksuar me një pllakë titani.
Është akomoduar në ambientet e Kopshtit Zoologjik të Tiranës. Falenderojmë të gjithë ata që po na mbështesin” shprehet Ardian Koçi. Pelikani është një shpend i mbrojtur, por që duket se nuk i ka shpëtuar gjuetisë së paligjshme, por fatmirësisht nuk ka ngordhur.