Ajo quhet “Cellphone Pistol” dhe është një armë e re që mund të mbahet në xhep. Pistoleta në formë celulari është sponsorizuar nga organizata e fuqishme e armëve në Shtetet e Bashkuara, “NRA”. Ajo ishte prezantuar përpara pak vitesh, por nuk ishte hedhur zyrtarisht në treg.
Tani, në mesin e debatit mbi armëmbajtjen, që vlon në Shtetet e Bashkuara pas episodeve të përsëritura të dhunës në shkolla, në takimin e përvitshëm të shoqatës, që nis nga data 4 maj e ku do të mbajë një fjalim edhe presidenti Donald Trump, do të bëhet publik modeli i armës, që shumë shpejt do të mbushë dyqanet amerikane me një kosto prej 500 dollarësh.
“Vetëmbrojtja është e drejta e parë e natyrshme” është njëri prej sloganeve të përdorur për të.
“Cellphone Pistol mund të përdoret nga të gjithë, duke nisur nga mamatë e deri te profesionistët”, thonë krijuesit e armës së veçantë.
“Me këtë objekt që peshon shumë pak në duart e tyre, nuk kanë për të qenë më viktima”, shtojnë ata.
Por, rrjetet sociale u mbytën nga një rrebesh protestash. Këto lloj armësh, sipas aktivistëve mund të kthehen në të preferuarat e të rinjve e adoleshentëve, që mund t’i mbajnë lehtësisht edhe në çantat e shkollës.