“Ku e di unë, sikur të kesh 30 kile dinamit me vete?!”, kështu mu drejtua një polic qarkullimi, më shumë i gjërë se i gjatë në krye të rrugës së Gjykatës apo “Dom Bosko”, siç i themi ne në Shkodër pasditen e të premtes në Shkodër. Arsyeja, sepse si çdo pasdite, po futesha në këtë rrugë për të bërë xhiro- ecjen gati të përnatshme.
Në fakt, në njërin krah të rrugës ishin stopuar disa të rinj me biçikleta. Në krahun tjetër, në krye të rrugës, disa banorë dhe qytetarë që kanë zyrat në këtë zonë. Forca të Gardës, efektivitë të sigurisë nga Turqia, policë me dhe pa uniformë nga tanët, kishin bllokur çdo lëvizje. Pse? Sepse në një institucion në këtë rrugë, po zhvillonte një vizitë kryetari i Parlamentit të Turqisë.
E pavarësisht kësaj, mendova “ta provoj” një herë. Fillimisht, policët tanë nuk u afruan teksa hidhja hapat në këtë rrugë. Sa mbërrita në derën e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, një civil me kufje në vesh afrohet, më bllokon rrugën dhe më thotë se “nuk lejohet të kalosh, prit 10 minuta”. Ndërsa i kërkoja një arsye, afrohet një polic i yni.
“Duhej të të ndalonim ne”, më thotë. Edhe këtë e pyes për arsyen e bllokimit. Më shpjegon se është kryetari i Parlamentit të Turqisë në një vizitë dhe shton “nuk ka vonesë”. Sigurisht, i them se nuk është e drejtë të bllokohet rruga pa paralajmërim sepse çdokush ka planet e tij, aktivitetin e tij. E këtu, polici më shumë i gjërë se i gjatë, lëshon “perlën”:
“Ku e di unë, sigur të kesh në trup 30 kile dinamit”, dhe si pa dashje, kalon dorën poshtë xhakaventos time, në pjesën e ijës. Kështu, bëri edhe një kontroll për të “dyshimtin”… Natyrisht i thashë se “ti, një punonjës policie, nuk duhet të thotë këtë gjë” por nuk kishte dialog…
Bllokimi i kësaj rruge, ka zgjatur rreth 45 minuta. Gjatë kësaj kohe, askush nuk mund të kalonte, asgjë nuk pipëtinte. Natyrisht, unë u ktheva pas dhe shkrepa disa foto me celular (fatmirësisht, nuk më penguan edhe pse “qytetar i thjeshtë”). Njëkohësisht, iu luta Zotit që Presidenti Erdogan, të mos vijë në Shkodër sepse me gjasë, as nga shtëpitë nuk do na linin të dilnim. Çfarë e keqe mund ti ndodhë në Shkodër kryetarit të Parlamentit të Turqisë? Një vend shumë miqësor dhe i lidhur prej shekujsh me Turqinë…?! Ateherë mu kujtua “Fetoja” Fetullah Gylen, “Grushti i shtetit”, vizitat e kryeministrit tonë në Turqi, ekstradimet…dhe kuptova se e kisha gabim… Nuk e kanë me ne por me “gylenistët” që mund të jenë “të fshehur” diku në Shkodër…?! Ta ketë “namin” Shkodra si “gyleniste” apo “çerdhe” e tyre…?!
P.S. E njëjta situatë ka qenë në të gjitha rrugët e Shkodrës, në të gjitha etapat e vizitës së kryetarit të Parlamentit të Turqisë në qytetin më të madh verior. /Nga Sokol N. SOKOLI/