Problematikat e qarkullit rrugor në Shkodër janë të pranishme prej shumë kohësh. Një pjesë e tyre lidhen me ngushtimin e hapësirave qoftë të lëvizjes por edhe parkimit për shkak të numrit të mjeteve motorike, ndërsa pjesa tjetër lidhen me punën e dobët të një pjesë të efektivëve të qarkullimit rrugor në Shkodër.
Shumë policë rrugorë, po bëhen milionerë me paratë nën dorë apo rryshfet që u marrin qytetarëve. Edhe pse kanë pak vite në pozicionin e policit të qarkullimit në Shkodër, kanë arritur të kenë makina të shtrenjta, të blejnë apo ndërtojnë vila, të bëjnë jetë luksoze, duke e demonstruar pa frikë edhe në rrjetet sociale. Rastet janë jo të pakta, por faktet do ti publikojmë në vijim.
Këtë herë do të flasim për gjobat selektive dhe në shkelje flagrante të ligjit. Rasti më i fundit, është ky që do të pasqyrojmë më poshtë. Në Sarreq, për shkak të mungesës së parkimit dhe të mosfunksionimit real të “korsisë së biçikletave”, banorët e pallateve i parkojnë mjetet brenda vijave të verdha. Sigurisht është kundravajtje administrative dhe kur një patrullë policie “kujtohet”, duhet të ndalet dhe të vendosë gjoba tek të gjitha mjetet.
Në fakt, nuk ndodh kështu. Gjobiten vetëm disa makina, siç është edhe rasti që po pasqyrojmë. Të tjerat vazhdojnë të qendrojnë me ditë e me javë kundravajtje, por nuk gjobiten nga këta palo- policë sharlatanë dhe që abuzojnë me veshjen e shtetit. Rasti është edhe më flagrant. Në shlekje të ligjit, të njejtit mjet, në të njejtin vend, i vendoset dy herë gjobë. Madje, njëra nga faturat nuk lihet në xhamin e mjetit dhe drejtuesi e mëson me shumë vonesë gjobën, duke e paguar edhe dyfish me kamat- vonesë.
Këta çapaçulë me uniformën e Policisë së Shtetit, duhet të largohen sa më parë pasi turpërojnë edhe kolegët e tyre korrektë dhe shumë profesionistë, në zbatim të ligjeve e rregullave. Në ditët në vijim, do të publikojmë me emra dhe me foto këtë kategori të turpshme të policëve të qarkullimit rrugor në Shkodër, ndërsa u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të denoncojnë në ShkodraWeb, duke ju garantuar ruajtjen e anonimatit. (Whatsapp, viber për foto dhe video +355 67 300 20 70 dhe mail në info@shkodraweb.com)
Në fund, një thirrje për shefat e rinj e të vjetër të DVP Shkodër. Është mirë të vini dorë në këtë sektor. Është fytyra juaj e drejtpërdrejtë e komunikimit me qytetarët. Policë abuzues, selektiv dhe që mund të përdorin uniformën për interesa vetjake, duhet ti flakni nga radhët tuaja. Ndryshe, edhe ju do të merrni kosto! /ShkodraWeb/